Largimi i barrikadave në Kosovë? Spahiu: Mënyra më e mirë të ndeshemi dhe ta fitojmë këtë luftë
Analisti, Nexhmedin Spahiu në një intervistë për Ora News me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth situatës në të cilën gjendet veriu i Kosovës.
Nexhmedin Spahiu tregoi se në kompetencën e kujt është heqja e barrikadave, cili është qëndrimi i KFOR, çfarë synon Serbia me në krye Vuçiç si dhe tregoi se cila do të ishte rruga e duhur për daljen nga kjo situatë.
Sipas Spahiut është policia ajo e cila duhet të heqë barrikadat.
Nexhmedin Spahiu: Pritet pika e vlimit se cilës nga palët do ti soset durimi. Ka gati dy javë që policët janë të bllokuar dhe nuk kanë mundësi të zëvendësohen nga kolegët e tyre. Policia duhet të heqë barrikadat.
Cili ka qenë reagimi i KFOR?
Nexhmedin Spahiu: Prisni se do ta zgjidhim këtë problem. Dhe për KFOR ka një rrezikshmëri të lartë pasi strukturat janë vendosur nga qeverisja serbe. Kur përdoret forca për heqjen e barrikadave janë të mundshme dhe viktimat. Së pari duhet të hiqen snajperistat pastaj vijohet me heqjen e barrikadave.
Si ka vepruar deri tani qeveria e Kosovës?
Nexhmedin Spahiu: Unë nuk i di kapacitetet operacionale të Kosovës por kjo qeveri ka treguar më shumë dinjitet për çështjen në veri të vendit.
Spahiu tha se “Qëllimi i Serbisë është të tregojë se veriun e Kosovës e zotëron ajo”.
Nexhmedin Spahiu: Qëllimi i Serbisë është të tregojë se veriun e Kosovës e zotëron ajo. Është përpjekje për të rritur pazaret në vijim të marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Se cila do të jetë marrëveshja nuk varet nga retorika e Kurtit apo Vuçiç por nga situata në terren. Duke mos pasur guxim që asnjëra palë të filloj luftën, secila palë ka frikë të fillojë luftën. Kurti nuk është frikacak por nuk merr me lehtësi vendimin për të çuar dikë drejt luftës.
Por cila është mënyra më e mirë për zgjidhjen e situatës?
Nexhmedin Spahiu: Mënyra më e mirë do të ishte të ndeshemi dhe ta fitojmë këtë luftë por mund të ndeshemi dhe ta humbim. Nëse nuk je i sigurt që mund të dalësh fitimtar mbajtja e një pozicioni si i tanishmi është i duhuri. Qeveritë e mëparshme kanë mbyllur sytë në një problem që ka ekzistuar për shumë vite.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

