Modric e ka me gjykimin: Penalltia e Argjentinës nuk duhej të jepej

Luka Modric nuk arrin ta përtypë humbjen me Argjentinën pasi në fund të ndeshjes drejtoi disa akuza të forta në adresë të italianit Daniele Orsato.

“Ishim mirë në fushën e lojës deri në momentin e penalltisë që për mendimin tim nuk ishte sepse Julian Alvarez godet portierin tonë. Orsato është një nga arbitrat më të dobët që kam njohur dhe nuk flas vetëm për ndeshjen me Argjentinën. Ka arbitruar në shumë ndeshje të mijat dhe kam kujtime shumë të këqija nga ai. Është një katastrofë. Urime Argjentinës, por penalltia e tyre na vrau.

Shpresoj që Messi ta fitojë Kupën e Botës sepse është futbollisti më i mirë i historisë. Po zhvillon një botëror të pabesueshëm dhe po tregon gjithë madhështinë e tij. Duartrokitjet e stadiumit në momentin e zëvendësimit? Isha shumë i zhgënjyer por argjentinasit më duartrokitën dhe unë i falënderoj sepse krijuan një atmosferë të pabesueshme. Tani duhet të pushojmë dhe të rikuperojmë energjitë për finalen e vendit të tretë”.