Trajner me “ankand”, Belgjika bën të ditura kërkesat për pasuesin e Martinez
Belgjika në kërkim të një trajneri të ri dhe këtë e bën në mënyrën më të çuditshme të mundshme, duke shpallur vendin vakant dhe duke hapur garën për grumbullimin e CV-ve.
Pak ditë pas largimit të Roberto Martinez, federata belge që në 20 vitet e fundit ka bërë një ristrukturim të plotë të sektorit duke korrur edhe frytet me një brez të talentuar lojtarësh, gjen një zgjidhje te gara në bazë të meritave dhe jo emrit duke deklaruar se për stolin e Belgjikës nevojitet një trajner shumë ambicioz, me eksperiencë dhe njohës i mirë i koncepteve taktike e me aftësi të mëdha profesionale.
“Kërkojmë një fitues serial me eksperiencë në menaxhimin e lojtarëve më të mirë të botës”, thekson në rreshtat e njoftimit të federatës që pret aplikime deri në 10 janarin e vitit të ardhshëm. Një gjë të tillë Belgjika e ka bërë edhe pas largimit të Mark Wilmots ndërsa e kanë aplikuar në të shkuarën edhe Bregu i Fildishtë e Kameruni.
Të shumtë janë emrat që lidhen me stolin e “Djajve të kuq” duke nisur që nga Michel Preud'homme e për të vazhduar me Hein Vanhaezebrouck, Philippe Clement,Thierry Henry, Louis van Gaal, Thomas Vermaelen dhe Vincent Kompany.
