Dëmtohet Armando Broja, sulmuesi kuqezi del me barrelë nga fusha e lojës (Video)

Armando Broja nuk arrin të shikojë dritë në fund të tunelit. Sulmuesi shqiptar që deri në këtë pjesë të sezonit e ka gjetur vetëm një herë rrugën e rrjetës, ka pësuar një dëmtim që duket i rëndë.

Gjatë ndeshjes miqësore që Chelsea luajti me Aston Villa-n në prag të rinisjes së kampionatit, bomberi me origjinë nga Shkodra doli nga fusha e lojës në minutën e 20. Ajo që ra në sy është se lojtari kuqezi doli nga fusha e lojës me barrelë, çka do të thotë se dëmtimi i Brojës mund të jetë shumë i rëndë por më shumë do të mesohet gjatë orëve apo ditëve të ardhshme.

Broja ka pësuar disa dëmtime gjatë muajve të fundit, ndërsa ndalesa e fundit mund të kushtëzojë edhe pjesëmarrjen e tij në ndeshjet e muajit mars që Shqipëria do të luajë për llogari të eleminatoreve të Euro 2024.