Pepe e ka me gjykimin: Le t’ia japin Kupën e Botës, Lionel Messit
Mbrojtësi i Portugalisë, Pepe, shpërtheu në akuza ndaj FIFA-s pas eleminimit të Portugalisë në çerekfinale nga Maroku. 40-vjeçari e cilësoi të patolerueshëm faktin që në ndeshjen e Portugalisë u caktua një gjyqtar argjentinas.
“Është e papranueshme që sot një arbitër argjentinas të gjykojë pas asaj që ndodhi dje, me Messin që ankohej. Pas asaj që pashë sot ata mund t’i japin Argjentinës titullin. Jam shumë i trishtuar. Ishin 90 minuta ku ata u munduan gjithmonë të ndalnin lojën tonë me faulle të lehta, gjyqtari nuk jepte kartonë, nuk i tërhiqte vëmendjen. Kështu shkoi gjithë loja, vetëm faulle. Ata patën fatin që shënuan një gol. Ne punuam shumë dhe bëmë shumë për të fituar ndeshjen.
Ishim gjithmonë para, pësuam në mënyrë të papritur një gol, por ishim gjithmonë më të fortë se ata. Ishte e papranueshme të kishim një gjyqtar argjentinas që drejtonte ndeshjen, pasi u dëgjuan fjalët e Mesit, ndërsa vjen e na gjykon argjentinasi. Në pjesën e dytë nuk u luajt aspak, ai dha vetëm 8 minuta shtesë. Vetëm ne deshëm të luanim në pjesën e dytë. Jemi të mërzitur, kishim cilësi për të fituar, për fat të keq nuk ia dolëm. Nuk na lejuan të luanim”.
