Apeli “mban peng” PD-në, shtyhet vendimin për padinë e dy kuvendeve

Mungesa e një prej gjyqtareve u bë shkak për shtyrjen në Gjykatën e Apelit të procesit gjyqësor për konfliktin brenda Partisë Demokratike. Trupi gjykues njoftoi shtyrjen e gjyqit më 20 dhjetor për shkak se një prej anëtarëve nuk ishte present, për arësye shëndetësore. Procesi ka të bëjë me padinë, për njohjen si një i vetëm të dy kuvendeve të thirrura nga grupi i Bashës, ndërkohë që pa datë në Apel, është edhe gjyqi për vulën e PD-së, me palë kundërshtare grupin e Berishës dhe Enkelejd Alibeajn.

Konflikti brenda Partisë Demokratike, duket se do të mbetet i pazgjidhur në rrugë gjyqësore edhe për këtë vit, pasi Gjykata e Apelit shtyu seancën e radhës për shqyrtimin e ankimit të mbështetësve të Lulzim Bashës. Ata kishin kërkuar në

Gjykatën e Shkallës së Dytë, kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Faktit, që refuzoi regjistrimin në një të vetëm të dy kuvendeve.

Burime nga Gjykata e Apelit, thanë se me datë 6 dhjetor 2022, ora 09:30, ishte caktuar seanca e çështjes civile me palë Partia Demokratike e Shqipërisë. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët: Irida Kacerja (relatore), dhe anëtarët Genti Shala dhe Emona Muçi. Seanca nuk u zhvillua, pasi një nga anëtarët konkretisht Gjyqtarja Emona Muçi, për arsye shëndetësore nuk është e pranishme. Gjykata ka njoftuar se në datën 20 dhjetor në ora 09:30 do të zhvillojë seancën e radhës për këtë çështje.

Objekti i çështjes lidhet me ankimin e bërë nga grupimi i Lulzim Bashës në PD, kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës të 18 marsit 2022, që refuzoi të regjistronte ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit, të thirrura nga Lulzim Basha.

Një ndër vendimet e rëndësishme të atij Kuvendi ishte përjashtimi nga partia, e personave që janë “non grata” nga SHBA-të, duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.

Në rast se Gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë “zhbëhet” Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.

Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës.

Gjykata e Apelit ka në shqyrtim edhe disa çështje të tjera që lidhen me konfliktin brenda PD-së, pasi më 16 maj, janë depozituar edhe dy padi të anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, mbështetës të Sali Berishës.

Njëra nga kërkesat kundërshton ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, që ligjëroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, të thirrur nga Sali Berisha. Çështja tjetër është ngritur mbi padinë e mbështetësve të Berishës, që kundërshtojnë vendimin që e pranoi Alibeajn si palë në procesin gjyqësor.

Dy ankimet që lidhen me kryesimin legjitim të PD-së dhe të drejtën për përfaqësimin e partisë dhe mbajtjen e vulës, janë në pritje për tu shqyrtuar pasi edhe pse janë paraqitur prej kohësh në gjykatë, ende nuk është caktuar një datë për seancat gjyqësore.

Aktualisht PD drejtohet nga Sali Berisha por grupimi i Bashës nuk njeh organet e reja të partisë, duke mbajtur qëndrim refuzues përmes kreut të grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj.