Berisha: Rama bëri gjithçka për të penguar protestën tonë historike, nuk ka forcë që na ndal
Pas protestës së sotme, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se regjimi i Ramës bëri gjithçka që të mos zhvillohej protesta e opozitës në bulevard.
Berisha tha se Rama u tremb nga vërshimet në bulevard dhe prandaj organizoi një skenar të tillë, duke shtuar se sot u faktua se nuk ka forcë që e ndal opozitën.
Berisha: Mirënjohje të pakufishme. Ky regjim bëri gjithçka që protesta jonë të mos zhvillohej. Kaloi edhe një akt që dëshmoi karakterin prej krimineli Edi Rama. Zgjodhën një person që mund të kryejë çdo gjë, pasi e panë që ju vërshuat nga të gjithë anët e Shqipërisë, në këtë protestë që do ta shkruajë historia me germa të arta. Kjo ishte protesta e jetës.
Sot faktuam se nuk ka forcë në botë që na mund dhe na pengon që të përmbushim qëllimet tona. Ndaj të frymëzuar, që të gjithë, nga ky akt guximi dhe trimërie e idealizmi, të vazhdojmë betejën tonë kundër armikut më të egër pas Enver Hoxhës në gjithë historinë e vendit. Atë që po bën Edi Rama nuk e ka bërë asnjë pushtet dhe asnjë lider në botë. Duhet të çlirohemi nga kjo monstër që nuk njeh parim dhe ligj. Beteja të mëdha na presin që do t’i fitojmë.

