Kongo: Rreth 300 viktima në sulmin rebel

Masakra e kryer më 29 nëntor në fshatin Kishishe dhe për të cilën qeveria e Republikës Demokratike të Kongos (DRC) akuzon rebelët e grupit M23 shkaktoi "rreth 300 të vdekur".

Këtë tha Julien Paluku, ministër i industrisë i DRC dhe ish-guvernator i Kivu-së së Veriut, provincës ku ndodhi masakra.

Paluku dha vlerësimin e ri kur foli në një konferencë për shtyp me zëdhënësin e qeverisë Patrick Muyaya.

Të enjten e kaluar ushtria kishte akuzuar M23 se kishte masakruar të paktën 50 civilë në fshatin në lindje të vendit, duke e përditësuar numrin e të vdekurve në "më shumë se njëqind" ditën tjetër.

Lëvizja rebele hodhi poshtë akuzat dhe pranoi vdekjen e vetëm 8 civilëve të vrarë, sipas tyre, nga "plumbat endacakë" gjatë përleshjeve me milicët e tjerë. 

Paluku dhe Muyaya, gjithashtu ministër (i Komunikimit), saktësuan se numri i viktimave u vjen ndër të tjera nga një "organizatë që bashkon të gjitha komunitetet" e rajonit.

Ish-guvernatori i provincës Kivu Veriore nga viti 2007 deri në vitin 2019 theksoi se të vdekurit janë civilë që nuk kanë lidhje me milicitë dhe zëdhënësi i qeverisë tha se mes tyre ka edhe 17 fëmijë të paktën “sipas të dhënave të para”.