Rusi: Mijëra foka të vdekura në brigjet e Kaspikut, mungesa e oksigjenit shkaku i mundshëm

Të paktën 2500 foka të një specie të rrezikuar u gjetën të ngordhura në plazhet ruse në brigjet e Detit Kaspik , njoftoi Ministria lokale e Ekologjisë, e cila ende nuk ka përcaktuar shkakun e vdekjes së gjitarëve.

Fokat u zbuluan dhjetëra kilometra larg bregut në Dagestan, tha të dielën ministria e republikës ruse në Kaukaz. Ekspertiza laboratorike është në vazhdim, shtoi ministria.

Sipas kreut të Shërbimit rus të Monitorimit të Natyrës, Svetlana Radionova, shkaku kryesor që po shqyrtohet aktualisht është vdekja nga mbytja gjatë lëshimit të gazit në fund të Detit Kaspik.

Gjitarët nuk kishin lëndime të dukshme në trup ose nga rrjetat apo pajisjet e peshkimit. Prandaj po raportohet se ata po shfaqin shenja të hipoksisë.

Në një intervistë për rrjetin televiziv rus Rusi-24, Radionova tha se është e nevojshme që të gjithë të presin deri në fund të javës që të dalin rezultatet e para të analizave dhe të përcaktohet nëse ndotja e ujit mund të ketë luajtur ndonjë rol.

Ai kujtoi se një incident i ngjashëm, me pothuajse 2000 foka të gjetura të vdekura, kishte ndodhur në fund të vitit 2020 në plazhet e Dagestanit dhe Azerbajxhanit.

Foka Kaspike, e vetmja specie e fokave në këtë det të mbyllur që ka brigje në pesë vende (Azerbajxhan, Iran, Kazakistan, Rusi, Turkmenistan), kërcënohet nga ndotja dhe gjuetia pa leje.

Në fillim të shekullit të 20-të, Deti Kaspik kishte më shumë se një milion foka, nga të cilat vetëm 68,000 të rritur kanë mbijetuar sot, ose më pak se 7%, sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili konsideron fokat e Kaspikut specie të kërcënuara me zhdukje.