Irani: Së shpejti do të varim të dënuarit "për luftë kundër Zotit" dhe korrupsion
Të dënuarit për protestat në Iran "do të varen së shpejti". Këtë e ka bërë të ditur kreu i gjyqësorit të Teheranit, Gholahossein Ejei, sipas agjencisë së lajmeve të Republikës Islamike Irna.
Autoriteti i referohet disa personave të arrestuar gjatë protestave pas vdekjes së Mahsa Amini, vajzës së vrarë për shkak se ajo nuk mbante mbulesën siç duhet.
Ata janë dënuar me vdekje për "luftë kundër Zotit" dhe "korrupsion në tokë", dy akuza shumë të rënda sipas ligjit islamik iranian.
Njoftimi i ri i Teheranit, "ne së shpejti do t'i varim të dënuarit për protesta", vjen pas shpërbërjes së policisë së moralit, e krijuar në fillim të viteve 2000 për të "përhapur kulturën e mirësjelljes së mbulesës islame".
Ky lajm i fundit, ndër të tjera, u injorua nga shtypi konservator iranian dhe u përmend vetëm nga katër gazeta reformiste.
Pas 80 ditësh protesta të provokuara nga policia morale, prokurori publik shpall shfuqizimin e saj”, shkruan gazeta reformiste Sazandegi, me titullin “Fundi i policisë morale”.
Sharq, një tjetër e përditshme reformiste, mbajti një qëndrim më skeptik: "A kanë mbaruar patrullat?" pyet gazeta duke ju referuar zbatimit të kodit të veshjes që kërkon përdorimin e mbulesës.
“Ndërsa prokurori i përgjithshëm tha se policia e moralit ishte hequr, departamenti i marrëdhënieve me publikun e policisë refuzoi ta konfirmonte këtë heqje”, theksoi Sharq.
Por grushti i hekurt kundër valës së re të protestave mbetet.
Organi paraushtarak i "basijit, policia dhe forcat e sigurisë nuk do të hezitojnë të merren ashpër me rebelët, kriminelët e armatosur dhe terroristët që janë punësuar nga armiqtë".
Kjo mund të lexohet në një deklaratë të Gardës Revolucionare ndërsa në shumë qytete të vendit është duke u zhvilluar e para grevë treditore e thirrur nga aktivistët në kuadër të protestave antiqeveritare që po vijojnë prej gati tre muajsh.
