VIDEO/ Kroacia me drithërima në çerekfinale, Japonia eleminohet nga “lotaria” e 11-metërshave
Kroacia kalon me shumë vështirësi në çerekfinalen e Kupës së Botës pasi eleminoi vetëm nga lotaria e 11-metërshave Japoninë.
Barazim 1-1 pas 120 minutave kohë të rregullt me golat e Maedas dhe Perisic ndërsa në fund, aty ku japonezët mendohej se do të ishin të kthjellët, u ndalën që në dy ekzekutimet e para nga portieri Livakovic që bëhet kështu heroi i nënkampionëve të botës, të cilët harxhuan shumë energji për të kaluar në fazën tjetër ku do të sfidojnë fituesen e çiftit Kore e Jugut-Brazil.

Vetën një 11-metërsh arriti të realizonte Japonia në fundin e ndeshjes dhe tashmë aziatikët duhet t’i japin lamtumirën Kupës së Botës.
Lotë në shkallët e stadiumit për publikun japonez ndërsa në fushën e lojës, trajneri i Kroacisë, Dalic ndoshta duhet të bëjë disa modifikime pasi mesfusha zhgënjeu në ndeshjen e sotme.
Modric u zëvendësua edhe për shkak të gjendjes së vështirë fizike ndërsa në krahun tjetër, Yoshida dhe skuadra japoneze e uli ndjeshëm ritmin në fundin e ndeshjes duke reflektuar lodhjen e madhe që në të tilla nivele ndihet shumë.
