28 nëntori, festë edhe në Kosovë e Luginën e Preshevës, homazhe në memorialin e Adem Jasharit
Festa e flamurit është festuar edhe në Kosovë. Krahas aktiviteteve në Prishtinë, politika në mënyrë të njëtrajtshme ka vlerësuar rolin e komandantit legjendar Adem Jasharit, ditë kjo e cila përkon me ditëlindjen e tij dhe lançimit të UÇK-së. Flamuri kombëtar u ngrit edhe në Luginën e Preshevës edhe pse në kundërshtim me ligjet diskriminuese të Serbisë.
Shqiptarët e Kosovës kanë festë të trefishtë në 28 nëntor.
Përfaqësuesit politikë, të institucioneve dhe organizatës së UÇK-së kanë bërë homazhe në Prekaz, fshati ku është memoriali i komandantit legjendar Adem Jashari.
28 nëntori krahas Ditës së Flamurit shqiptar është ditëlindja e Adem Jasharit dhe lançimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë.
Ndërsa krerët e shtetit, Kurti, Osmani e Konjufca ndodheshin në Vlorë krah presidentit Begaj dhe kryeministrit Rama në Prekaz shkoi kryetarja e grupit parlamentar të maxhorancës Mimoza Kusari Lila.
Shefja e Vetëvendosjes në Kuvend nga Prekazi e quajti veprën e Adem Jasharit të pashembullt për kombin shqiptar.
Homazhe tek kompleksi memorial në Prekaz ka bërë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bashkë me kabinetin qeveritar.
Homazhe kanë kryer edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Nënkryetarja e kësaj force politike, Vlora Çitaku e quajti sakrificën e komandantit Jashari themelin e shtet ndërtimit të Kosovës.
Flamuri kombëtar u ngrit edhe në Luginën e Preshevës.
Në kundërshtim me gjoja ligjet e shtetit serb, kreu i Këshillit Shqiptar në Luginë ka vendosur të ngrejë flamurin nga selia e këtij institucioni.
Ragmi Mustafi tha se e bëri këtë si sakrificë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
"Nuk është zgjidhje vendosja e flamurit kombëtar krahas atij serb për një ditë e as vendosja e flamurit kombëtar për një ditë të vetme. Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike," tha ai.
Kushtetuta serbe nuk e lejon valëvitjen e një flamuri të huaj nëse pranë tij nuk qëndron i Serbisë edhe pse normalisht minoritetet etnike duhet të përjashtoheshin nga ky rregull.