Ekspertët: Palët të fokusohen te marrëveshja finale
Njohësit e çështjes së dialogut e shohin me optimizëm me procesin nga i cili presin intensifikim, ndërsa kryeministri Kurti ka lënë marsin e vitit të ardhshëm si datë për marrëveshje finale. Ekspertët i tremben zgjatjes së mëtejshme të procesit, pasi Beogradi nuk po pranon ta njohë Kosovën.
Kryeministri Kurti insiston se marrëveshja me Serbinë të kryhet deri në pranverën e vitit 2023. Marrëveshja për targat sipas njohësve të çështjes së dialogut pritet të dinamizojë procesin. Ata thonë se nëse ka vullnet dhe investim të aleatëve ndërkombëtarë mund të ketë lëvizje konkrete. Megjithatë, theksohet se dialogu është i brishtë dhe në çdo moment mund të bllokohet, pasi Serbia në thelb nuk pranon njohjen e Kosovës.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se në kuadër të dialogut duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet teknike dhe të fokusohet te kompromisi final.
Optimist se mund të ketë lëvizje pozitive për arritjen e marrëveshjes vitin e ardhshëm është, Gazmir Raci, ish-këshilltar i kryenegociatores së Kosovës për dialogun, Edita Tahiri.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se ka potencial për intensifikimin e procesit të dialogut, megjithatë thekson se gjithmonë ekziston mundësia për zgjatje të procesit.
Kosova dhe Serbia të mërkurën arritën marrëveshje për targa. Kjo marrëveshje sipas Kurtit nuk cenon substancën e shtetit.
Në kuadër të saj, dy palët u pajtuan që të angazhohen për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve në bazë të paketës franko-gjermane.