Autobusët bllokojnë rrugët e Shkupit, protestë për pagat e prapambetura
Paratë e prapambetura prej 3 muajsh kanë detyruar operatorët privatë që kryejnë transportin publik në Shkup që të bllokojnë rrugët kryesore të kryeqytetit me 30 autobusë. Transportuesit privatë thonë se do të vazhdojnë protestën derisa të marrin zgjidhje nga Kompania Publike e Transportit.
Linjat private që kryejnë transportin publik në Shkup do të protestojnë me bllokim rrugësh në vendkalimet kryesore të kryeqytetit maqedonas.
Rreth 30 autobusë do të bllokojnë bulevardin Goce Dellçev dhe atë Krste Petkov Misirkov.
Operatorët e linjës së transportit kërkojnë plotësimin e kushteve nga ana e Kompanisë së Transportit Publik të Shkupit.
Kompania publike e transportit nuk i ka paguar transportuesit privatë prej disa muajsh.
Borxhi është afro 980 mijë euro, për muajt gusht, shtator, tetor që pronarët e linjave private nuk kanë marrë nga operatori publik.
Ministria e Punëve të Brendshme iu bëri thirrje qytetarëve që të përdorin transportin publik dhe t’iu binden urdhrave të policisë.
Javën e kaluar, kompanitë private nuk funksionuan për shkak të borxhit të papaguar nga Kompania e Transportit Publik ndaj tyre.
Kryetarja e Bashkisë së Shkupit, Danela Arsovska i akuzoi transportuesit privatë se i kanë ngarkuar biletat që nga viti 2017 dhe nuk i raportojnë paratë dhe çdo muaj i faturojnë 400.000 euro nga Kompania e Transportit Publik.
Nuk dihet ende se sa do zgjasë protesta me bllokim rrugësh e cila ka nisur prej orës 07:00 të mëngjesit të së hënës.
