Grabisnin dhe kërcënonin qytetarët, Gjykata lë në burg dy efektivët e policisë

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy efektivët e policisë, një të rendit dhe një i Policisë Bashkiake që në bashkëpunim me njeri tjetrin grabisnin në zonën e Liqenit Artificial, qytetarë kryesisht përdorues të lëndëve narkotike, të cilët i kërcënonin se do t’i arrestonin.

Dy efektivët që u prangosën të shtunën nën akuzën e vjedhjes dhe kanosjes Serxhio Cani efektiv i komisariatit nr1 dhe Sajmir Muzikanti efektiv i Policisë Bashkiake në Tiranë, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Është ky vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila pranoi këtë të hënë kërkesën  e prokurorisë për dy të arrestuarit  pas kallëzimeve që ishin bërë në adresë të tyre.

Konkretisht, efektivët akuzohen për vjedhje në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Cani dhe Muzikanti, ishin në vëzhgim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas denoncimeve të ardhura nga qytetarët.

Sipas policisë, duke shfrytëzuar detyrën, ata ndalonin të rinj në zonën e Liqenit, që i kapnin duke pirë lëndë narkotike .

Në shpërdorim të detyrës ata u vinin dhe prangat dhe u merrnin lekët që kishin me vete, duke i lënë më tej të lirë në këmbim që mos t’i shoqëronin në komisariat. Por dy efektivët dhe avokatët e tyre kanë pretenduar në gjykatë se nuk ka prova për fajësine e tyre pasi gjatë arestimit në flagrancë nuk u janë gjetur as paratë,

Efektivi i policisë Bashkiake Saimir Muzikanti, i cili e ka pranuar akuzën gjatë marrjes në pyetje në polici ka pretenduar në gjykatë se ndaj tij ishte ushtruar dhunë nga efektivët e tjerë.

Familjarët e tij pretendojnë se janë informuar që pas shoqërimit, efektivët kanë fikur dritën e dhomës së qelisë së paraburgimit dhe kanë ushtruar dhunë.

Ndërkohë, menjëherë pas evidentimit të rastit, kanë nisur procedurat e përjashtimin nga Policia e Shtetit të punonjësit të patrullës Serxhio Cani.