Britania “pendohet” për Brexit
Britanikët duan që të kenë marrëdhënie më të mirë me Evropën dhe të marrin pjesë në tregun e përbashkët. Sipas medieve britanike po diskutohet pas dyerve të mbyllura një marrëveshje që Britania të ndjek modelin zviceran me BE-në.
Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian që u pa si një proces i thjeshtë, ka hasur në ndërlikime të shumta dhe diskutime të gjata mes Londrës dhe Brukselit.
Së fundmi, figura të larta në qeverinë e Rishi Sunakut po konsiderojnë që Mbretëria e Bashkuar të ndërtojë një arkitekturë marrëdhënieje të stilit zviceran me Bashkimin Evropian.
Çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me Irlandën, peshkimin, tregtinë, emigracionin kanë shkaktuar debate dhe disktime të gjata mes vendeve të BE-së dhe britanikëve. Ishullorët kërkojnë që të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushtë me BE-në, sipas medieve britanike.
Lëvizja, sipas disa zyrtarëve britanikë, mund të ndodhë gjatë dekadës së ardhshme pasi qeveria kërkon marrëdhënie të ngushtë me Evropën, që të shmang barrierat aktuale për tregtinë.
Tema e daljes nga Bashkimi Evropian ka qenë lajtmotiv i qeverive të ndryshme britanike kohët e fundit, ndërsa Boris Johnson ishte i sigurtë për një marrëveshje me BE-në pas vitesh negociatash, por kjo pati problemet e veta.
Downing Street e ka hedhur poshtë këtë raportim të medieve britanike, por gazetarët shkruajnë se pas dyerve të mbyllura kjo është një bisedë që zhvillohet mes politikanëve të lartë britanikë.
Zvicra dhe BE kanë një marrëdhënie të ngushtë ekonomike bazuar në një sërë marrëveshjesh dypalëshe, duke i dhënë vendit akses të drejtpërdrejtë në tregun e brendshëm të BE-së, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve.

