Avionë bombardues në Koban, qytetin sirian në kufi me Turqinë
Turqia hakmerret pas shpërthimit të 13 nëntorit në Stamboll, duke sulmuar me bomba mbi Koban në veri të Sirisë. Nga sulmet e mbrëmjes së të shtunës raportohet për 12 të vdekur, gjashtë prej të cilëve thuhet se janë anëtarë të Forcave Demokratike, një koalicion i udhëhequr nga kurdët, ndërsa gjashtë të tjerë janë ushtarë pro regjimit.
Mbrëmjen e së shtunës gazetarë kurdë vërshuan në raportime në rrjetet sociale për një sulm të avionëve ushtarakë të Turqisë në Siri.
Bëhet fjalë për bombardime në zonat kurde të Sirisë, konkretisht për bomba të lëshuara mbi Koban, një qytet me shumicë kurde në Sirinë veriore, që shtrihet në kufi me Turqinë.
Autoritetet e Ankarasë ende nuk kanë konfirmuar lajmin e dhënë nga gazetarë në tvviter dhe agjencia kurde ANHA.
Sipas kësaj agjencie avionët luftarakë të ushtrisë turke kanë bombarduar edhe zonat Shahba dhe Zarghan.
Pas këtij sulmi forcat kurde në Siri kanë akuzuar ushtrinë turke për kryerjen e disa bombardimeve ajrore në veri të vendit.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimeve.
Gjashtë prej viktimave thuhet se janë anëtarë të Forcave Demokratike, një koalicion i udhëhequr nga kurdët, ndërsa gjashtë të tjerë janë ushtarë pro regjimit. “Ka ardhur koha e llogarisë”, theksoi përmes Tëitter ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, mbi një foto ku shfaqet një avion luftarak turk F-16 duke u nisur për një operacion nate.
“Bastardët do të mbajnë përgjegjësi për sulmet e tyre tinëzare”, shtoi ministri turk i Mbrojtjes.
“Foletë e terroristëve janë rrafshuar me goditje precize” shtoi ai në një postim të dytë, shoqëruar me një montazh të shkatërrimit të një objektivi nga ajri, pa specifikuar se ku ishte.
