Afera me djegësit, Këlliçi: Incineratori i Tiranës po hetohet, dje është tentuar për një urdhër-arrest për një kryebashkiak
Deputeti, Belind Këlliçi, i cili ka qenë në ballë të denoncimi të aferës së incineratorit të Tiranës, i konsideron të pamjaftueshme aksionet e SPAK.
Për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai tha se pa u hetuar përgjegjësit kryesorë, çdo gjë tjetër nuk çon në zbardhjen e aferës së djegësave.
Këlliçi: Çdo ditë e më shumë po na shfaqet ai skenar që ne e kemi thënë që në fillim se kemi një drejtësi të kontrolluar. Përsa kohë nuk kemi një hetim ndaj personave përgjegjës, kryeministrit Edi Rama, kryetarit i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Arben Ahmetajt dhe Engjëll Agaçit, çdo gjë që bëhet nuk ndihmon në zbardhjen e plotë të kësaj afere.
Tre pronarët në arrati, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja sigurisht që janë përfituesit në letra, por janë prestanomet e këtyre të katërtëve që përfitojnë çdo vit para nga buxheti i shtetit për incineratorë që janë fantazmë dhe nuk ekzistojnë. Për këtë vit, vetëm incineratori i Tiranës që nuk ekziston, ka marrë 8.3 milion euro nga buxheti i shtetit.
Kjo është një vjedhje, megaaferë që vazhdon të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë. Sigurisht përshëndes urdhër-arrestet nga SPAK por si ka mundësi që asnjëherë nuk ka kurajo për ti shkuar deri në fund, nuk thirret për tu pyetur Erion Veliaj?
Por ai shtoi se ka informacione se ioncineratori i Tiranës po hetohet dhe se dje ka pasur një tentativë për të prerë një urdhër-arrest për një nga kryebashkiakët e tre incineratorëve.

Këlliçi: Megjithatë kam informacione se dosja e Tiranës është në hetim, kam informacione që ditën e djeshme ka pasur një tentativë për të pasur një urdhër-arrest për një kryebashkiak lidhur me një nga tre incineratorët që është anuluar. Nëse është e vërtetë është një lajm i kobshëm, për drejtësinë shqiptare, vendin tonë.
Deputeti demokrat denoncoi dhe megaaferën me portin e Durrësit.
Këlliçi: Nuk mund të rri pa përmendur aferën e portit të Durrësit. Nuk ka transparencë nga qeveria.Po i falet një investitori të huaj pa garë dhe pa transparencë. Është një megaaferë korruptive që kalon 2 mld euro.
Ne si opozitë po bëjmë detyrën tonë për denoncimin e këtyre aferave, për ti çuar para institucioneve të drejtësisë. PD po tregon se është opozitë reale dhe pakompromis. Në dorë kemi të votojmë kundër këtyre projekteve, të denoncojmë me fakte dhe prova të gjithë aferat korruptive.
