Alibeaj i etiketoi si pazarxhinj dhe parazitë, Këlliçi: Nuk isha në sallë por kjo mënyrë të shprehuri nuk e nderon

Enkelejd Alibeaj i etiketoi sot në Kuvend kolegët e tij demokratë në grupin e Berishës si pazarxhinj dhe parazitë në opozitë.

Belind Këlliçi në një prononcim për Rtv Ora, tha se nuk ishte në seancë për të dëshmuar këtë por theksoi se kjo mënyrë të shoprehur nuk nderon Alibeajn.

Këlliçi: Nuk dua të humbas kohë me përplasje të brendshme apo etiketime të tilla që nuk nderojnë askënd që i nxjerr nga goja në mënyrë të veçantë kur këto i drejtohen kolegëve opozitarë. Nuk kam qenë në sallë kur janë thënë ato fjalë, e kam parë në media. Nëse Alibeaj është shprehur në këtë mënyrë nuk nderon veten e tij, askënd tjetër.

Këlliçi, tensionet në seancën e sotme plenare, i lidhi me manipulimin e procesverbalit të seancës së kaluar dhe mohimin e fjalës së opozitës.

Këlliçi: Sot është manipuluar procesverbali i mbledhjes së kaluar. Ishin hequr të gjithë frazat e kryeministrit, janë përjashtuar deputetët e opozitës Leskaj dhe Paloka pa lëshuar asnjë fyerje apo etiketim ndaj kryeministrit i cili në seancën e kaluar ka përdorur gjuhën më vulgare dhe banale, duke dhënë një show të shëmtuar që nuk është i denjë për qelitë e burgut jo më për Parlamentin.Nuk na jepej fjala as për procedurë. Jemi kthyer në deputetë që jemi në humorin e Taulant Ballës apo Edi Ramës se çfarë urdhri i japin drejtuesit të seancës.