Një moment historik për njerëzimin: Popullsia e botës arrin në 8 miliardë

Bota sot numëron plot 8 miliardë njerëz. Shifra vjen 11 vjet më vonë pasi popullsia globale shkoi në 7 miliardë persona. Ekspertët thonë se rritja e popullsisë megjithatë është ngadalësuar dhe do të duhen rreth 15 vjet që bota të shënojë 9 miliardë persona.

Bota numëron sot 8 miliardë njerëz.

Demografët zgjodhën 15 Nëntorin për të shënuar këtë moment historik.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se popullsia e botës ka arritur në tetë miliardë, vetëm 11 vjet pasi ka kaluar kufirin prej shtatë miliardë.

Sipas ekspertëve, kjo shifër është për shkak të rritjes graduale të jetëgjatësisë së njerëzve për shkak të përmirësimeve në shëndetin publik, të ushqyerit dhe mjekësia.

Kombet e Bashkuara thonë se rritja e popullsisë është edhe pasojë e nivelit të lartë të lindshmërisë në disa vende.

Megjithatë pas rritjes së madhe në mesin e shekullit të 20-të, rritja e popullsisë tashmë po ngadalësohet.

Mund të duhen 15 vjet për të arritur nëntë miliardë dhe OKB-ja parashikon që shifra 10 miliardë të shënohet përtej vitit 2080.

Kjo organizate pranon megjithatë që është e vështirë të llogaritet saktësisht numri i njerëzve në botë, ndërsa statistikat flasin për ulje te lindshmërisë dhe përshpejtim të lëvizjes demografike.