Vatikani do të hetojë priftin pedofil

Vatikani ka njoftuar se do të hetojë rastin e priftit pedofil në Francë, krahas prokurorëve të Parisit. Ish-kryepeshkopi francez ka pranuar se ka abuzuar seksualisht me një 14-vjeçare kur ishte prift në Bordo.

Vatikani ka vendosur të nisë një hetim paraprak ndaj kryepeshkopit francez Jean-Pierre Ricard, tashmë në pension, pasi kardinali i Bordosë pranoi në një letër publike, se kishte abuzuar me një 14-vjeçare, 35 vjet më parë.

Lajmin e bëri me dije zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni në një deklaratë.
Vatikani tani po vlerëson se kush është personi "më i përshtatshëm" për të kryer hetimin "me autonominë, paanshmërinë dhe përvojën e nevojshme", shtoi ai.

Sipas praktikës së Vatikanit, ata do të prisnin autoritetet gjyqësore franceze të mbyllnin hetimin e tyre, përpara se të nisnin një procedurë kanonike.

Në këtë mënyrë, Vatikani mund të kërkojë dokumentacion nga autoritetet franceze, për ta përdorur atë edhe në hetimin e tij.

Kardinali Ricard, zbuloi abuzimin në një letër javën e kaluar, ndërsa peshkopët francezë po mblidheshin në asamblenë e tyre vjetore në Lourdes.
Ai pranoi se ishte përfshirë në sjellje të pahijshme ndaj vajzës, kur ishte prift dhe tha se sjellja e tij domosdoshmërisht ka shkaktuar pasoja të rënda dhe të qëndrueshme për këtë person.

Kardinali tha se i kishte kërkuar falje viktimës dhe familjes së saj, duke shtuar se ai do të tërhiqej për t'u lutur.

Ricard ishte peshkop në rajonin jugperëndimor të Bordo nga 2001 deri në 2019 dhe u bë kardinal në vitin 2006 nga ish Papa Benedikti.

Një hetim i pavarur që tronditi Kishën Katolike Franceze vitin e kaluar, zbuloi se kleri katolik kishte abuzuar seksualisht,me më shumë se 200,000 fëmijë, gjatë 70 viteve të mëparshme.