Australi/ 800 pasagjerë në një anije rezultojnë pozitiv me Covid-19

Një anije turistike me rreth 800 pasagjerë me Covid-19 është ankoruar në Sydney, Australi.

Anija e lundrimit Majestic Princess mbërriti në Circular Quay, pasi kishte lundruar nga Zelanda e Re.

Rreth 4,600 pasagjerë dhe ekuipazh ishin në bordin e anijes kur ajo u ankorua, që do të thotë se rreth një në pesë persona kishte Covid.

Përhapja të kujton shpërthimin e Covid të anijes së lundrimit Ruby Princess në fillim të vitit 2020, ku të paktën 900 persona rezultuan pozitivë dhe 28 vdiqën.

Marguerite Fitzgerald, presidentja e operatorit të lundrimit Carnival Australia, tha se një numër i madh rastesh filluan të zbuloheshin rreth gjysmës së udhëtimit 12-ditor.

Të gjitha rastet ishin ose asimptomatike ose me simtoma të lehta, tha ajo.

Stafi do të ndihmojë të gjithë mysafirët që kanë rezultuar pozitivë "me aksesin në transportin privat dhe akomodimin për të përfunduar periudhën e tyre të izolimit", tha ajo, ndërsa anija do të niset së shpejti për në Melburn.

Përhapja vjen ndërsa rastet e Covid rriten në të gjithë Australinë, raporton BBC.

Në Uellsin e Ri Jugor, 19,800 raste të reja u zbuluan në shtatë ditët deri të premten.