Për klimën s’pret koha, Samiti botëror në Egjipt: Masa urgjente ose shkojmë në rrugë të pakthyeshme
Ndërmarrja e hapave të menjëhershëm është domosdoshmëri sipas liderëve botërorë për të goditur pasojat e ngrohjes globale. Liderët më të rëndësishëm të botës u mblodhën në Egjipt për të diskutuar se si do të veprojnë si një trup i vetëm për masat kundër ngrohjes globale.
Pas Parisit dhe Glasgowt, liderët më të rëndësishëm botërorë janë mbledhur këtë javë në Egjipt për të folur për masat që do të ndërmarrin kundër ndryshimeve klimatike.
Presidenti amerikan, kancelari gjerman, liderë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme ishin të pranishëm në këtë samit.
Perëndimi kërkon të kalojë në përdorimin e energjisë së gjelbërt në dekadat e ardhshme, ndërsa kanë vendosur edhe afate për të ulur me rreth dy gradë temperaturën e përgjithshme globale.
Përmbytjet, uraganet dhe shkrirja e akullnajave ka ndikuar zona të ndryshme anekënd botës, ndërsa të gjitha vendet janë në një mendje se duhen ndërmarrë masa për të ulur temperaturën globale.
Rreth 130 vende deri më tani kanë nënshkruar se do të ndjekin politika të forta për të ulur emetimin e gazeve serë në atmosferë deri në vitin 2030.
Bashkimi Evropian dhe Amerika ndërkaq duan që brenda vitit 2050 të shkojnë në zero emetim. Diskutimet janë duke vijuar me vende të ndryshme në Afrikë dhe Azi.
Kina që është një nga gjigantët e mëdhenj botërorë në ekonomi, është edhe emetues i madh i gazeve serë në atmosferë. Palët po zhvillojnë bisedime për të ndërmarrë hapa të përbashkët për këtë problem i cili prek të gjitha vendet e botës pa dallim.

