Trump sulmon Guvernatorin e Florida-s: I mungon besnikëria! Në 2017 më kërkoi ndihmë i dëshpëruar

Zgjedhjet afatmesme i kanë dhënë guvernatorit republikan të Floridës luksin për të pretenduar një mandat si president i SHBA-ve. Por, ish-presidenti Donald Trump ka sulmuar rëndë Ron DeSantis, i cili mund të jetë rivali kryesor i 76-vjeçarit për zgjedhjet e 2024.

Ish-presidenti Donald Trump ka sulmuar guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, ndërsa rivaliteti mes dy republikanëve kryesorë rritet.

Trump e cilësoi ish-nxënësin e tij politik si një guvernator mesatar që i mungonte besnikëria.

Zoti DeSantis, 44 vjeç u rizgjodh në zgjedhjet afatmesme të së martës, duke vulosur statusin e tij si ylli më i ndritshëm në rritje i Partisë Republikane.

Zërat janë në rritje që DeSantis të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Megjithatë ish-presidenti mbetet jashtëzakonisht popullor në bazën e partisë dhe në këto kushte do të ishte një kundërshtar tepër i vështirë për zotin DeSantis apo për çdo republikan tjetër që guxon ta sfidojë atë.

Në një deklaratë të gjatë mbrëmjen e së enjtes, zoti Trump e quajti guvernatorin e Floridës një peshë të lehtë politike, i cili kishte ardhur tek i dëshpëruar përpara se të kandidonte për mandatin e tij të parë në 2017.

Trump: Roni kishte miratim të ulët, ishte keq në sondazhe dhe nuk kishte para. Ai mundi të fitojë vetëm falë mbështetjes që i dhashë unë. Unë e rregullova edhe fushatën e tij, e cila ishte shkatërruar plotësisht.

Ish-presidenti pritet të shpallë planin e tij për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.

Ndërsa DeSantis po lahet në shkëlqimin e fitores së mandatit të dytë, zoti Trump është fajësuar nga republikanët për perforcmancë zhgënjyese në zgjedhjet afatmesme.

Gara për kontrollin e Kongresit mbetet ende e paqartë tre ditë pasi amerikanët votuan, megjithëse republikanët kanë çdo shans për të kryesuar Dhomën e Përfaqësuesve.