Rusia jashtë G20, Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm në Bali
5 ditë përpara samitit të G20, presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të mos marrë pjesë në takim personalisht duke shmangur edhe konfrontimin me presidentin Biden. Në vend të Putin, delegacionin rus do e udhëheqë ministri i Jashtëm Lavrov, ndërsa nuk dihet se në çfarë forme do të marrë pjesë Zelenski
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur që të shmangë konfrontimin me liderin ukrainas Vollodimir Zelenski si dhe presidentin Joe Biden në samitin e G20.
Kremlini ka konfirmuar të enjten se në vend të Putin në Indonezi do të udhëtojë ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.
Më herët presidenti Biden dhe homologu i tij kinez Shi Xhinping konfirmuan pjesëmarrjen në takimin e grupit të 20 ekonomive kryesore botërore.
Lideri ukrainas e kushtëzoi pjesëmarrjen e tij në takim me vajtjen e Putin.
Nuk përjashtohet mundësia që Zelenski të veshë përsëri kostumin dhe të dalë përtej kufijve të Ukrainës për herë të parë që nga nisja e luftës në vendin e tij.
Më herët u aludua se në Bali mund të mbaheshin takime të veçanta Putin-Biden, apo edhe Putin-Zelenski të cilat do të ishin të parat që nga nisja e luftës.
Megjithatë kreu i Shtëpisë së Bardhë e kishte përjashtuar mundësinë e takimit me zotin Putin.
Samiti do të mbahet në 15 dhe 16 nëntor në Bali të Indonezisë e cila udhëheq edhe presidencën e G20-s.
