Policia e Kosovës masa për ruajten e rendit në veri
Policia e Kosovës përmes një postimi ka lajmëruar se ka marrë disa masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Në këtë postim ajo hodhi poshtë dhe një video të publikuar në media se njësitë speciale ishin nisur për në Mitrovicë.
"Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin.
Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.
Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media," shkruan Policia e Kosoves ne Facebook.
Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje dhanë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.