Grekët, italianët dhe francezët të pasigurt dhe të frikësuar
70% e italianëve, 68% e grekëve dhe 63% e francezëve konsiderojnë se ekziston rreziku për të qenë në një situatë të pasigurt financiare në të ardhmen e afërt, sipas një sondazhi të publikuar në Francë.
Sondazhi u krye në pesë vende të Bashkimit Evropian (Gjermani, Francë, Greqi, Itali, Poloni) dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe përshkruan gjerësisht nivelet e varfërisë dhe pasigurisë në kontinentin e vjetër.
Gjetja kryesore e tij është se rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave të konsumit, e parë në fund të krizës Covid dhe e përforcuar nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, kanë dobësuar familjet evropiane.
Sipas 6,000 evropianëve të anketuar, "rritja e çmimeve" është faktori që "shpjegon më së miri rënien e fuqisë së tyre blerëse, shumë mbi taksat dhe rënien e të ardhurave të lidhura me aktivitetin e tyre".
Sipas gazetës financiare franceze LA TRIBUNE, e cila detajon sondazhin, "shqetësimi për rrezikun e të qenit në një situatë të pasigurt financiare" është tashmë i dukshëm midis evropianëve të anketuar.
Për 55% të të anketuarve, ky rrezik është ose “disi i rëndësishëm” ose “shumë i rëndësishëm”, thekson sondazhi..
Gjetjet e të njëjtit hulumtim përmenden edhe në një artikull të gazetës LE FIGARO me titull “Pasiguria: një në dy evropianë konsideron se fuqia e tyre blerëse është ulur në tre vitet e fundit”.
Theksohet se 62% e të anketuarve francezë deklarojnë se kohët e fundit kanë kufizuar udhëtimet e tyre, ndërsa 50% e francezëve kanë ulur ngrohjen.

