Skandal në Shkodër: Rëra e Velipojës fitohet me dokumente të falsifikuara. Prokuroria pushon hetimin
Janë 390 dynym rërë në vijën bregdetare të Velipojës që janë përfituar më dokumente të falsifikuara por pavarësisht këtij fakti prokuroria e Shkodrës ka vendosur të pushojë hetimet.
‘Ora investigim’ do zbulojë hap pas hapi skemën e këtij skandali.
Nga dosja rezulton se këtë pronë e ka fituar një 99-vjeçare e ndjerë e cila ka lindur në Velipojë por banonte në Grizhë të Malsisë Madhe.
Pretendohet se shtetasja me iniciale D.H i ka dhënë prokurë shtetasit Ardian Beci për të kërkuar pronat e saj.
Ky shtetas ka paraqitur kërkesën pranë Agjencisë se Kthim Kompensimit Pronave në Tiranë për kthimin e sipërfaqes 390 dynym tokë por kjo kërkesë është refuzuar për shkak se dokumentacioni nuk ishte i plotë.
Më pas çështja kalon në gjykatë e cila vendos kthimin e tokës të moshuarës. Pas fitimit të pronësisë e moshuara pretendohet se bën një testament duke dhuruar tokën.
E moshuara është përdorur si trampolinë për fitimin pronësisë me pas ka dalë jashtë loje duke dhuruar pronën.
Sipas ekspertizës kemi të bëjmë me falsifikimin e dy dokumenteve noteriale. Është falsifikuar prokura e shtetasit Ardian Beci njëkohësisht edhe testamenti i 99 vjeçares.
Kjo çështje më pas i kalon Prokurorisë ku nga Instituti i Policisë Shkencore vërtetohen ndërhyrje në dokumentacion dhe vula.
Pjese e dosjes është edhe dëshmia e shtetases me iniciale T.L emri i të cilës figuron te vërtetimi hipotekor i vitit 1997,ajo ka dëshmuar se nuk e ka firmosur asnjë dokument hipotekor për më tepër në këtë periudhë ajo nuk punonte në hipotekën e Shkodrës por në Prokurorinë e Tiranës.
E ndodhur para një varg falsifikimesh të provuara prokurorja Franceskina Lekani ka kërkuar pushimin e çështjes. Sipas avokatit Loren Liço ne këto raste prokuroria duhet të kërkojë sekuestrimin e dokumenteve të falsifikuara dhe asgjësimin e tyre.
Ne lidhje me kërkesën e prokurores Franceskina Lekani për pushimin e hetimeve fjalën e fundit pritet që ta thotë Gjykata e Shkodrës.
Në ditët në vazhdim ‘Ora investigim’ do të sjelli fakte tronditëse se si prokuror që nuk u përballën me procesin e veti ngut, por u tërhoqën për shkak të pasurisë të pajustifikuar rezulton se posedojnë pallate shumëkatëshe në bregdet.
Këto ish prokurorë të shndërruar në avokat po shijojnë milionat e tyre të pajustifikuara dhe të pa hetuara nga drejtësia.
