Hill: Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë një propozim për marrëveshje
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill thekson se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë zgjatur shumë dhe se është koha për përparim, ndërsa perëndimi përballet me çështje të tjera të rëndësishme siç është lufta në Ukrainë.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill , në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se dëshira për përparim në çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është pasqyruar edhe në telefonatat e së martës që zhvilloi sekretari i shtetit Antony Blinken me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Po ashtu kjo dëshirë është pasqyruar edhe në angazhimin e këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare të Francës dhe Gjermanisë, të cilët siç është thënë, hodhën në tryezë një propozim për një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.
“Ne e mbështesim këtë propozim”, tha ambasadori Hill, por “u takon evropianëve të flasin për këtë."
Ndërsa shprehu bindjen se evropianët duan që kjo gjë të lëvizë, ambasadori Hill theksoi se është e qartë që këto janë çështje të vështira, por është e rëndësishme, tha ai, që të dyja palët të kuptojnë se ka gjëra të tjera që po ndodhin në Evropë, për shembull në Ukrainë, dhe është koha për përparim në këtë çështje.
"Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”.
Ambasadori Hill tha se ka çështje që duhen trajtuar mes të dyja palëve, por se kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme që disa zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin amerikan të shtetit, ta bënin shumë të qartë se ndërkombëtarët duan të shohin përparim.
Ambasadori Hill tha se Bashkimi Evropian është zgjidhja më e mirë për Serbinë me gjithë zhgënjimin me zvarritjen e bisedimeve me BE-në.
As Parisi dhe as Berlini nuk kanë folur për propozimin, i cili sipas presidentit serb, parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozim franko-gjerman.
