Kompania e Musk nuk mund të paguajë më për shërbimet satelitore në Ukrainë, i kërkon Pentagonit të marrë përsipër fondet

Që kur arritën në Ukrainë pranverën e kaluar, terminalet satelitore të internetit Starlink të prodhuara nga kompania SpaceX e Elon Musk kanë qenë një burim jetik komunikimi për ushtrinë ukrainase, duke bërë që pavarësisht luftës me Rusinë, të ketë rrugë efikase komunikimi.

Deri më tani rreth 20,000 njësi satelitore Starlink i janë dhuruar Ukrainës, dhe Musk ka postuar në Twitter të premten se "operacioni i ka kushtuar SpaceX 80 milionë dollarë dhe do të shkojë mbi 100 milionë dollarë deri në fund të vitit".

Por këto kontribute bamirëse mund të marrin fund, pasi SpaceX ka paralajmëruar Pentagonin se mund të ndalojë financimin e shërbimit në Ukrainë.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

SpaceX muajin e kaluar i dërgoi një letër Pentagonit duke thënë se nuk mund të vazhdojë të financojë shërbimin Starlink siç ka bërë. Letra gjithashtu kërkoi që Pentagoni të merrte përsipër fondet për përdorimin e Starlink nga qeveria dhe ushtria e Ukrainës, për të cilin SpaceX pretendon se do të kushtonte më shumë se 120 milionë dollarë për pjesën tjetër të vitit dhe afërsisht 400 milionë dollarë për 12 muajt e ardhshëm.

"Ne nuk jemi në gjendje kohore të dhurojmë më tej terminale në Ukrainë, ose të financojmë terminalet ekzistuese për një periudhë të pacaktuar”, i shkroi drejtori i shitjeve qeveritare të SpaceX Pentagonit në letrën e shtatorit.

Dokumentet dhe letrat, të cilat nuk janë raportuar më parë, ofrojnë një përmbledhje të rrallë të numrave të brendshëm të SpaceX në Starlink, duke detajuar kostot dhe pagesat që lidhen me mijëra terminale në Ukrainë. Ato gjithashtu hodhën dritë mbi negociatat që kanë ofruar miliona dollarë në pajisje dhe shërbime komunikimi për Ukrainën me kosto të ulët.