Në 200-vjetorin e egjiptologjisë, Muzeu në Kajro hap dyert për vizitorët e shumtë

Në 200-vjetorin e dëshifrimit të hieroglifeve të lashta, Egjipti feston më dyert e muzeve të hapura për të gjithë, vendas dhe të huaj. Ndërkohë, egjiptologët apelojnë që të kthehen në vend artefaktet e grabitura në mënyrë të paligjshme.

Egjiptologjia, shkenca që merret me studimin e Egjiptit të lashtë shënon 200 –vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor, Muzeu Egjiptian në Kajro ka hapur dyert për vizitorët për të festuar këtë datë të rëndësishme. Egjiptologu Ali Bash shpjegon artefaktin e parë.

"Sot po festojmë 200 vjetorin e Egjiptologjisë, që filloi me zbulimin e Gurit të Rozetës në fortesën Julien në Rashid, të gjetur nga një oficer i quajtur Pierre Francois Bouchard. Guri është shumë i rëndësishëm pasi ishte si një letër nga priftërinjtë që falënderonte Ptolemeun V për justifikimin e egjiptianëve që paguanin taksat," tha ai. 

Dy shekuj nga dëshifrimi i hieroglifeve të lashta egjiptiane, egjiptologët apelojnë që të kthehen në vend artefaktet e grabitura në mënyrëtë paligjshme dhe sot ekspozohen në muze të ndryshme të botës.

"Ministria është shumë e interesuar për kthimin e artefakteve egjiptiane nga jashtë në përputhje me ligjet rregulluese. Egjipti ka nënshkruar shumë marrëveshje ndërkombëtare dhe është anëtar i UNESCO-s", nënvizoi Ahmed Issa, Ministër Egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve.

Egjiptologjia ndihmoi në zbulimin e shumë sekreteve të qytetërimit egjiptian, duke i shtyrë njerëzit të eksploronin shumë fusha. Qeveria egjiptiane pritet të ndërmarrë disa hapa për të kthyer në Muzeun e Madh këto artefakte: Guri i Rozetës, Zodiaku (Dendera) në Luvër, busti i mbretëreshës Nefertiti dhe statuja e Hemiunu, të cilat janë nxjerrë jashtë vendit në mënyrë të paligjshme.

Një ditë më parë, Egjipti lejoi hyrjen falas në të gjithë muzetë e tij për banorët vendsa dhe vizitorët e huaj.