Ish shefi i CIA-s i çon mesazh Putinit: Mos përdor armë bërthamore se do ta shkatërrojmë gjithë ushtrinë

Amerikanët i kanë dërguar një mesazh Putinit edhe me anë të ish-shefit të CIA-s, duke i thënë të mos e çojë nëpër mend përdorimin e armëve bërthamore. Gjenerali Petraeus, gjatë një interviste për mediet amerikane, parashikoi se NATO do shkatërronte çdo forcë ruse që do gjente në Ukrainë nëse Putini sulmon me armë bëthamore.

Ish-shefi i CIA-s amerikane, David Petraeus, kishte një mesazh për Putinin në rast se ai tenton të përdorë armët atomike në luftën në Ukrainë.

SHBA dhe aleatët e saj në NATO do shkatërrojnë forcat ruse dhe do fundosin flotën e Detit të Zi nëse Vladimir Putin vendos të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, tha ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus.

Gjenerali me katër yje, tashmë në pension, parashikoi në një intervistë për mediet amerikane se çfarë besonte se do të ndodhte nëse Kremlini do të përdorte armë bërthamore.

“Ne do të përgjigjeshim duke udhëhequr një përpjekje kolektive të NATO-s që do të nxirrte jashtë loje çdo forcë konvencionale ruse që mund të shohim dhe identifikojmë në fushën e betejës në Ukrainë, në Krime dhe çdo anije në Detin e Zi”, tha ai.

Petraeus tha se përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë nuk do të vinte në punë Nenin 5 të NATO-s, i cili bën thirrje për mbrojtje kolektive të shteteve anëtare, sepse Ukraina nuk është pjesë e aleancës.

Por, për gjeneralin ka një klauzolë që mund të fusë NATO-n në lojë. Ai tha se nëse Putini do të përdorte armë bërthamore, mundësia është e lartë që rrezatimi nga sulmi do të prekte një anëtar të aleancës, dhe kjo mund të interpretohej si sulm kundër NATO-s, që do të sillte aktivizimin e Nenit 5.

Putin ka bërë kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore, duke bërë që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, të paralajmërojë Rusinë për "pasoja katastrofike" .

Edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha gjithashtu se administrata Biden ia ka bërë "shumë të qartë" Moskës se një sulm bërthamor do të pasohej nga "pasoja të tmerrshme".

Presidenti Biden ndërkohë e paralajmëroi Putinin në një fjalim pas ceremonisë së aneksimit në Kremlin se SHBA dhe aleatët e saj ishin "plotësisht të përgatitur" për të "mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s".