OKB i kërkon Rusisë lirimin e shefit të centralit të Zaporizhjës, Ihor Murashov

Organizata e Kombeve të bashkuara përmes Agjencisë së saj për Mbikëqyrje Bërthamore i ka bërë thirrje Kremlinit që të lirojë drejtorin e centralit më të madh bërthamor të Ukrainës, i cili raportohet se është rrëmbyer nga patrulla e ushtrisë ruse.

Një ditë pasi drejtori i centralit më të madh bërthamor të Ukrainës, Ihor Murashov u ndalua teksa po udhëtonte nga centrali i Zaporizhjës për në qytetin Enerhodar, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamorepranë Oganizatës së Kombeve të Bashkuara kërkon lirimin e tij.

OKB tha se shpreson që “Murashov do të kthehet te familja e tij në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë në mënyrë që ai të vazhdojë punën e tij të rëndësishme në central”.

Enehoatom, kompania shtetërore ukrainase që mbikëqyr centralin e Zaporizhjës njoftoi se Murashov “u nxor nga vetura, iu mbyllën sytë dhe më pas u dërgua në drejtim të panjohur”.

Ndalimi i Murashovit “ka një ndikim të madh” në sigurinë e tij dhe sigurinë bërthamore tha agjencia.

Është e paqartë pse Murashov është ndaluar, ndërsa autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje.

Centrali i Zaporizhjës dhe zona përreth kontrollohen nga forcat ruse që nga marsi, ndërkaq stafi ukrainas vazhdon të operojë me këtë uzinë.

Reaktori i fundit i centralit të Zaporizhjës u fik në shtator për shkak të granatimeve pranë uzinës bërthamore.

Kievi dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore kanë paralajmëruar se mund të shkaktohet katastrofë mjedisore si pasojë e luftimeve pranë centralit.

Rusia ka hedhur poshtë çdo thirrje për të krijuar një zonë të çmilitarizuar përreth centralit të Zaporizhjës.