Nesër ceremonia në Rusi për firmosjen e aneksimit të rajoneve të okupuara në Ukrainë
Presidenti Vladimir Putin do të aneksojë zyrtarisht katër rajone pjesërisht të pushtuara nga Rusia të Ukrainës të premten, ka thënë Kremlini, një veprim i refuzuar tashmë nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë, duke e konsideruar si të paligjshëm dhe të pakuptimtë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një ceremoni për të shënuar aneksimin e Donetskut, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia në Rusi do të zhvillohet në orën 15:00 me orën e Moskës.
Traktatet do të nënshkruhen sëbashku me administratorët e emëruar nga Moska të rajoneve të Ukrainës në sallën e Shën Gjergjit të Kremlinit, shtoi ai.
Një hap i tillë ishte i pritshëm pas votimeve të aneksimit që përfunduan të martën në të katër rajonet. Zyrtarët lokalë të mbështetur nga Moska pretenduan se banorët kishin votuar me shumicë dërrmuese në favor të bashkimit me Rusinë.
Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën shtatë muaj pas fillimit të pushtimit rus.
Ukraina i hodhi poshtë votimet duke i konsideruar një mashtrim dhe premtoi se do të ndëshkonte tradhtarët që ndihmuan në organizimin e tyre, si dhe do të zgjeronte kundërsulmin e saj.
Sakaq mësohet se udhëheqësit e instaluar nga Rusia të Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia kishin mbërritur në kryeqytet përpara ngjarjeve të së premtes.
"Ka përgatitje për një festë të madhe publike në Sheshin e Kuq të Moskës ... kështu që të gjitha shenjat tregojnë se Rusia është e vendosur të marrë vendimin dhe t'i bëjë atë [aneksimet] fakt," Mohamed Vall i Al Jazeera.
Të katër rajonet përfaqësojnë rreth 15 përqind të territorit të Ukrainës.
Aneksimi nuk është një taktikë e re ruse. Tetë vjet më parë, Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina, gjithashtu pas një referendumi të dënuar gjerësisht.
Deri më sot, asnjë nga aleatët e Ukrainës nuk e ka njohur Krimenë si tokë ruse.
