Moska javën tjetër mund të shpallë aneksimin e territoreve në Ukrainë
Rusët pritet që javën tjetër të shpallin zyrtarisht aneksimin e katër rajoneve ukrainase në Federatën ruse. Perëndimi ndërkaq i ka cilësuar referendumet si fiktive dha ka vendosur të ndërmarrë masa për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.
Rusia ka pozicionuar edhe trupat e armatosura për të bërë fakt të kryer aneksimin e territoreve ukrainase me anë të referendumit të organizuar së fundmi në disa rajone.
Pavarësisht se Perëndimi e denoncon si referendum të orkestruar nga Kremlini, Moska mund të shpallë zyrtarisht të martën aneksimin e këtyre territoreve në Federatën Ruse.
Sipas Moskës, qytetarët kanë votuar masivisht që të kalojnë nën sundimin e Moskës.
Administratat e instaluara nga Moska në katër rajonet e Ukrainës jugore dhe lindore pretenduan të martën se 93 për qind e votave të hedhura në rajonin e Zaporizhzhia mbështesin aneksimin, 87 për qind në rajonin Kherson, 98 për qind në rajonin Luhansk dhe 99 për qind në Donetsk.
Zyrtarët pro-rusë në të katërta rajonet thanë se do t'i kërkonin presidentit rus Vladimir Putin që të inkorporojë provincat e tyre në Rusi bazuar në rezultatet e shpallura të votimit.
Vendet perëndimore gjithashtu e hodhën poshtë votimin si një përpjekje e Moskës për të legjitimuar pushtimin e saj në Ukrainë të nisur më 24 shkurt.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, u kërkoi 27 vendeve anëtare të BE-së të bien dakord për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të aneksimeve të propozuara.
Ndërkohë, SHBA njoftoi një ndihmë shtesë prej 1.1 miliardë dollarësh për Kievin, me rreth 18 sisteme raketash të avancuara dhe armë të tjera për të luftuar dronët që Rusia ka përdorur kundër trupave ukrainase.
Paketa e fundit e çon totalin e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën në gati 17 miliardë dollarë që kur administrata Biden mori detyrën.