Dy raketa nga komunistët për amerikanët ndërsa Harris viziton Korenë e Jugut

Komunistët në Korenë e Veriut e kanë pritur me dy raketa vizitën e zëvendëspresidentes amerikane Harris te fqinjët e tyre jugorë. Ndërsa vendi më i izoluar në botë bëhet gati për një provë bërthamore, Harris ka siguruar fqinjët se amerikanët do të jenë aty krah tyre për çdo problem.

Koreanoveriorët kanë lëshuar dy raketa me rreze të shkurtër veprimi ndërsa fqinjin koreanojugor e viziton zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris.

Situata në gadishull është e tensionuar, ndërsa koreanojugorët kanë zhvilluar më herët edhe stërvitje të përbashkët ushtarake me amerikanët.

Zëvendëspresidentja amerikane ndodhej në një tur katërditor në Azi, ku mori pjesë edhe në ceremoninë mortore të ish-kryeministrit japonez Abe.

Kamala Harris dënoi të mërkurën veprimet "shqetësuese" të Kinës në Paqësor, ndërsa u zotua të thellojë "lidhjet jozyrtare" me Tajvanin, disa ditë pasi administrata amerikane tha se forcat e saj do ta mbronin ishullin në rast të një sulmi.

Harris e mbylli udhëtimin e saj katër-ditor në Azi me një ndalesë në Zonën e Çmilitarizuar që ndan Gadishullin Korean, teksa theksoi angazhimin e amerikanëve për sigurinë e aleatëve të saj aziatikë përballë një Koreje të Veriut gjithnjë e më agresive.

Koreanoveriorët kanë paralajmëruar gjithashtu edhe një provë bërthamore, ndërsa analistë të ndryshëm thonë se vendi më i izoluar në botë tashmë mund ta ketë ndërtuar një armë atomike.