"Si një planet i ri", vullkani tërheq vizitorët në ishullin spanjoll La Palma

Në një-vjetorin e shpërthimit të vullkanit Tajogaite, në ishullin spanjoll La Palma, numri i turistëve vijon të rritet. I shndërruar gati në “një planet të ri”, krateri gjigand e ka kthyer ishullin në atraksion turistik për shumë vizitorë nga Europa dhe më gjerë.

Një nga ishujt Kanarie të Spanjës, La Palma, është kthyer në një atraksion për turistët pas shpërthimit të vullkanit Tajogaite më 19 shtator 2021. Kjo përvojë konsiderohet unike nga vizitorët e shumtë.

“Është njësoj si të ecësh në sipërfaqen e një planeti të ri”, tha Teodoro Gonzalez, infermieri 54-vjeçar nga ishulli i afërt i Tenerife-s, ndërsa po ecte nëpër një pyll të harlisur me pisha të mbuluar me hi të zi për të arritur në destinacion.

“Të vizitosh një vullkan që ka shpërthyer kohët e fundit është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë”, tha ai.

Ndërsa udhërrëfyesja turistike për Graja-Tours, Lotte von Lignau shprehet: "Tani është krejtësisht ndryshe, ishte plot me hi më parë, por tani ka një shtresë prej një metri. Është plotësisht e mbuluar me të zezë,"

Ndërsa imazhet u transmetuan në mbarë botën gjatë shpërthimit 85-ditor të fokusuar në shkatërrimin e shkaktuar nga vullkani, raportet e lajmeve theksuan gjithashtu hijeshinë e ishullit të vogël, gjë që ka nxitur dëshirën për të udhëtuar në La Palma.

Ishulli është normalisht një nga më pak të vizituarit e Ishujve Kanarie të Spanjës që varen nga turizmi në brigjet veriperëndimore të Afrikës. Në gusht, prenotimi i hoteleve arriti në 90.9 për qind, shumë mbi pritjet.

E mbiquajtur "La Isla Bonita" ose "Ishulli i Bukur", La Palma është një rezervë biosfere e ruajtur nga UNESCO, e mbushur me pyje të gjelbëruara, maja shkëmbore dhe shkretëtirë.