Kina mbledh aleatët në Azi, fton dhe Indinë, Rusinë dhe Turqinë

Në Samarkand të Uzbekistanit kanë mbërritur këtë të enjte disa prej liderëve më të rëndësishëm të Azisë. Kina, që është edhe organizatorja e samitit të Shangait, ka filluar të projektojë fuqinë e saj të stërmadhe në Azi. Lideri kinez pritet të takohet me atë rus në këtë samit.

Lideri rus Vladimir Putin dhe ai kinez Shi XhinPing do të zhvillojnë bisedime kokë më kokë këtë të enjte në margjinat e samitit të Shangait.

Dy liderat kanë mbërritur në Uzbekistan ku do të marrin pjesë në punimet për samitin e Shangait, një nismë e rëndësishmë kineze.

Lufta në Ukrainë, sipas shumë analistëve, pritet të jetë në qendër të vëmendjes së dy liderave botërorë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sanksionet e forta perëndimore kanë bërë që Rusia të shoh gjithnjë e më shumë nga Lindja, duke krijuar aleanca më të forta me vendet e Azisë.

Bashkëpunimi i Kinës me Rusinë është parë gjithnjë me dyshim nga Perëndimi. Sipas shumë politikanëve perëndimorë ata kërkojnë të formatojnë një rend të ri botëror, duke nëpërkëmbur institucionet ndërkombëtare si OKB, FMN apo Bankën Botërore.

Kina ndërkohë është kthyer në një fuqi të rëndësishmë ndërkombëtare duke qenë iniciatore e disa nismave të rëndësishme si Rruga e Mëndafshit, Nisma e Shangait apo formacioni BRICS, ku bën pjesë Brazili, India, Kina, Rusia dhe Afrika e Jugut.

Në Samarkand pritet të zhvillohen disa nga takimet më të rëndësishme sa i përket Azisë. Lideri indian dhe ai turk do të jenë pjesëmarrës në këtë samit të rëndësishëm.

Së fundmi ka pasur tensione mes dy gjigantëve aziatikë, Kinës dhe Indisë, ndaj edhe pritet të shihet se si do të jetë ambjenti mes dy liderave të rëndësishmë dhe nëse do të ketë bisedime mes tyre.