VIDEO/ Dyshohet se Putin iu bë atentat, Zelenski përplaset me makinë
Dy nga figurat kryesore botërore kanë pësuar incidente me automjete në të njëjtën ditë ndërsa ushtritë respektive të tyre gjenden në luftë prej mbi 6 muajsh. Kështu presidentit rus dyshohet se i vunë një bombë në makinë, ndërsa mjeti i Zelenski pësoi aksident.
Një ngjarje e çuditshme për rrethanat në të cilat ndodhen dy shtete fqinje ka ndodhur gjatë së mërkurës.
Liderët e dy shteteve në luftë me njëra-tjetrën, Rusisë dhe Ukrainës kanë pësuar dy incidente ndërsa ishin duke lëvizur me eskortat e tyre.
Makina e liderit të Ukrainës Volodimir Zelenski është përfshirë në një aksident gjatë mbrëmjes të së mërkurës në Kiev ndërsa eskorta e tij ishte duke u kthyer nga qyteti i Izjumit në veri të vendit.

Fatmirësisht presidenti ukrainas nuk ka marrë lëndime të rënda, ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër me të cilin makina e tij u përplas është transportuar në spital.
Kreu i shtetit ishte duke u kthyer nga një udhëtim ditor në Izjum në rajonin e Karkivit i cili ka qenë nën pushtimin rus prej muajsh dhe u çlirua vetëm disa ditë më parë nga forcat ukrainase.
Shefi i zyrës së shtypit të Zelenskit tha se presidenti ukrainas ishte në gjendje të mirë shëndetësore pasi u ekzaminua nga një mjek dhe nuk ishte e nevojshme të dërgohej në spital.

Më herët gjatë ditës u raportua se në limuzinën e presidentit Vladimir Putin ishte vendosur një bombë e cila shpërtheu.
Sipas disa burimeve të pakonfirmuara, dyshohet se një bombë ishte vendosur në gomën e perparme të makinës së presidentit rus e cila shpërtheu dhe tymi pushtoi të gjithë automjetin.
Informacioni nuk është konfirmuar ende nga Kremlini dhe mediet ruse të cilat dyshohet se janë të lidhura me shtetin dhe informacioni shpesh është i centralizuar.
Dy liderët pësuan incidente ndërsa ishin duke udhëtuar në makinat e tyre luksoze ndërkohë që ushtarët e dy vendeve gjenden prej gjashtë muaj e gjysmë në luftë në territorin ukrainas.