PS hap dosjet, Petro “del” partizan/ Deputeti socialist: Ballistët të kërkojnë falje, filmat e komunizmit janë “ok”
Petro Koçi ka marrë përsipër mes socialistëve që të ruajë lidhjen me elektoratin e vjetër dhe nostaligjikët e ish-regjimit. Ndërsa në kryesi të Kuvendit, Taulant Balla flet për dosje, nga Fieri deputeti Koçi doli partizan i sulmit ndaj ballistëve.
Ndërsa mazhoranca është investuar në një nismë të re parlamentare për hapjen e dosjeve të Sigurimit, deputeti Petro Koçi, një nga të fundmit e kastës socialiste, investohet për ruajtjen e produkteve të së kaluarës.
Ndërsa përkujtoi në Fier 79-vjetorin e daljes partizane të 68 vajzave, ai shënjestroi pjesën e persekutuar të regjimit Hoxha për kolaboracionizëm.
"Ata që kanë bashkëpunuar me fashisizmin dhe nazizmin është mirë të kërkojnë falje dhe të rregullojnë dhe çështjen e marrëdhënieve në shërbim të një uniteti kombëtar."
Përballë projektiligjit të Enkelejd Alibeajt të dërguar në Kuvend për dekomunistizimin, deputeti socialist thotë se filmat e Kinostudios "Shëipëria e Re"duhen ruajtur. Artin e kësaj periudhe e quan të kulluar pavarësisht propagandës.
"Është një përpjekje me natyrë anti-kombëtare. Të ndalosh filmat është akt censure dhe të kërkosh të futësh në pluhrin e harresës një talent të jashtëzakonshëm të qindra artistëve dhe artisteve tona, të kinematografisë tonë, e cila pavarësisht ndonjë aspekti me natyrë politike ka ditur që të interpretojë në mënyrë të jashtëzakonshme shpirtin artistik të shqiptarëve."
Veç debatit për rihapjen e të shkuarës së dyshimtë të politikanëve, deputeti Petro Koçi thotë se lidhjet e krimit me shtetin dhe me financat mbeten shqetësim, pasi subjekte të krimit të organizuar sipas tij janë kthyer në biznese legale që marrin tendera.
