Fitoret e forcave ukrainase s'kanë të "sosur", në shtator morën 6 mijë km katror nga rusët

Forcat ukrainase kanë shënuar suksese të mëtejshme në çlirimin e territoreve të cilat kanë qenë nën pushtimin rus prej rreth 6 muajsh. Presidenti Zelenski tha se të paktën 6 mijë kilometra territore janë çliruar në më pak se dy javë.

Forcat ukrainase kanë rifituar territore të reja në kuadër të kundërofensivës së saj ndaj forcave ruse.

Presidenti ukrainas ndërsa bën një rezyme të çlirimeve të territoreve të reja në më pak se dy javë zotohet se operacioni i Kievit do të vijojë në territore të reja.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Që nga fillimi i shtatorit, ushtarët tanë kanë çliruar tashmë 6000 kilometra katrorë të territorit ukrainas në lindje dhe jug dhe ne jemi duke ecur më tej," tha Zelenski.

Moska ka pranuar humbjen e qyteteve kryesore në rajonin verilindor të Karkivit të cilën ekspertët ushtarakë e kanë quajtur si një përparim të madh.

Moska e ka përshkruar tërheqjen e trupave të saj nga rajoni ditët e fundit si një rigrupim me synimin për t’u fokusuar në rajonet Lugansk dhe Donjeck në lindje të Ukrainës.

Rusia megjithatë ende mban rreth një të pestën e vendit.

Kundërofensiva ukrainase duket se ka qenë e shpejtë.

Të enjten e kaluar, Presidenti Zelenski tha se forcat ukrainase kishin rimarrë 1,000 km katrorë, por deri të dielën kjo shifër e deklaruar ishte trefishuar në 3,000 km katrore.

Përparime të rëndësishme - megjithëse më të ngadalta - nga trupat ukrainase janë raportuar gjithashtu në rajonin jugor të Khersonit, i cili kufizohet me Krimenë.

Ushtria ruse më herët pranoi se trupat e saj duhej të largoheshin nga qytetet kryesore të Balaklija, Izjum dhe Kupiansk në rajonin e Kharkiv.