Shqetësim në SHBA për pjesëmarrjen e mundshme të ushtrisë indiane në stërvitjet ushtarake ruse

Administrata amerikane nuk po e fsheh shqetësimin e saj për qëllimin e Indisë për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të organizuara nga Rusia, tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Muajin e kaluar Moska njoftoi stërvitjet ushtarake të quajtura Vostok (Lindje) nga 30 gushti deri më 5 shtator në mes të luftës në Ukrainë. 

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, trupa nga Rusia, Kina, India, Bjellorusia, Mongolia, Taxhikistani dhe vende të tjera pritet të marrin pjesë në stërvitje.

E pyetur për përfshirjen ushtarake indiane, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve, të cilët po shoqëronin Presidentin Biden në udhëtimin e tij në Pensilvani, se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për çdo vend që merr pjesë në stërvitjet ushtarake me Rusinë gjatë pushtimit rus të Ukrainës.