OKB kërkon 160 milionë dollarë ndihmë për Pakistanin, 1136 të vdekur nga përmbytjet
Kombet e Bashkuara dhe qeveria pakistaneze do t'i bëjnë thirrje zyrtarisht OKB-së nesër, të martën 30 gusht, për një donacion prej 160 milionë dollarësh për të financuar ndihmën emergjente në Pakistan, i cili është përfshirë nga përmbytjet e paprecedentë, tha sot zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Dhjetëra miliona pakistanezë po luftojnë për të përballuar shirat më të këqij të musonit në tre dekada, të cilat kanë vrarë 1,136 njerëz, kanë rrënuar shtëpi të panumërta dhe kanë shkatërruar toka bujqësore jetësore duke prekur 33 milionë njerëz.
Dhe "situata pritet të përkeqësohet, me reshjet që vazhdojnë," tha në një konferencë për shtyp Stefan Dujarric, zëdhënës i Antonio Guterres.
Në këtë kuadër “bashkë me qeverinë parashikojmë një apel urgjent për 160 milionë dollarë për aktivitetet e ndihmës emergjente”, tha ai duke sqaruar se kjo do të bëhet nesër.
OKB-ja ka mobilizuar tashmë 7 milionë dollarë, kryesisht duke ridrejtuar para nga programe të tjera për të financuar nevojat më urgjente", "ushqim, ujë, pajisje mjekësore, shëndet të nënës, strehim...", shpjegoi ai.
Dhe 3 milionë dollarë shtesë të lëshuara nga Fondi Qendror i Kombeve të Bashkuara për Reagimin ndaj Emergjencave.
Ndërkohë, ministri i Financave i Pakistanit, Miftah Ismail njoftoi se vendi i tij do të konsideronte importimin e perimeve nga rivali numër një, India, për të zbutur efektet e përmbytjeve pasi çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm.
"Ne mund të konsiderojmë importimin e perimeve nga India," tha ministri për televizionin lokal Geo News.
Turqia dhe Irani mund të jenë gjithashtu opsione të tjera, tha ai.
Mobilizimi i OKB-së u njoftua pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi rifillimin e një kredie shpëtimi për Pakistanin, pasi një e treta e vendit përballet me shirat më të këqij të musonit dhe tashmë është rrënuar nga një krizë e rëndë ekonomike, tha ministri i financave.
“Ne pritet të marrim këstin e 7-të dhe këstin e 8-të prej 1.7 miliardë dollarësh”, tha Miftah Ismail në një mesazh në Twitter.
Shumë masa antipopullore janë vendosur muajt e fundit nga qeveria e Shabaz Sharif që erdhi në pushtet në prill. Midis tyre, rritja e çmimeve të energjisë me më shumë se 50% dhe futja e një mbitakse mbi fitimet e korporatave.
Islamabad aktualisht ka marrë 3 miliardë dollarë nga ky program kredie dhe dëshiron që ai të zgjatet deri në qershor 2023.
