Hetimi për ish-presidentin Trump, gjykatësi federal: Publikoni urdhërkontrollin e FBI-së

Një gjykatës federal amerikan vendosi se FBI-ja duhet të bëjë publik urdhërin për bastisjen e vilës së presidentit Trump. Ky veprim i FBI-së ka tensionuar situatën politike në ShBA. Një pjesë thotë se presidenti nuk fsheh gjë, ndërkohë që FBI-ja sekuestroi në vilën e tij disa kuti me dokumente sekrete.

Bastisja e shtëpisë së ish-presidentit amerikan Donald Trump është kthyer në një temë të nxehtë politike në SHBA.

Këtë të premte, një gjykatës federal në Florida, vendosi që të publikohej i redaktuar urdhërkontrolli i FBI-së në rezidencën e Trumpit.

Redaktimi është i domosdoshëm në raste të këtilla për të ruajtur disa sekrete të hetimit dhe për të mbrojtur agjentët që kryejnë hetimin.

Agjentët e FBI-së bastisën më 8 gusht rezidencën e Trumpit, në Palm Beach të Floridas, ku edhe sekuestruan shumë kuti me dokumente.

Mediet amerikane shkruajnë se kjo bastisje u krye në kuadër të një hetimi penal ndaj Trumpit, për marrjen në vilën e tij të disa dokumenteve sekrete nga Shtëpia e Bardhë, kur ai la detyrën në janar 2021.

Gazetarët amerikanë shkruajnë se dokumentet e sekuestruara mund të jenë letra që Trumpi ka shkëmbyer me diktatorin koreanoverior Kim Jong, por mund të jenë edhe dokumente që përmbajnë të dhëna sekrete për armatimin bërthamor amerikan.

Juristët argumentojnë se mund të kemi hetim për spiunazh ndaj presidentit Trump. Sipas ligjit, pasi një president lë postin, të dhënat presidenciale duhet t’i kalohen Administratës Kombëtare të Arkivave.