Forcat amerikane vrasin katër luftëtarë pro-iranianë në Sirinë lindore

Ushtria amerikane tha sot se kishte vrarë katër anëtarë të grupeve të armatosura të lidhura me Iranin në Sirinë lindore në përgjigje të raketave të lëshuara nga ato grupe, ku u plagosën disa persona.

 “Gjatë 24 orëve të fundit, në përgjigje të sulmeve me raketa të djeshme në vendet Conoco dhe Green Village, forcat amerikane kanë angazhuar paraushtarakë të lidhur me Iranin” tha në një deklaratë Komanda Qendrore e Lindjes së Mesme të Ushtrisë Amerikane (Centcom).

Forcat amerikane përdorën helikopterë AH-64 Apache , avionë AC-130 dhe artileri të rëndë M777 . 

"Katër luftëtarë u vranë dhe shtatë raketahedhës u shkatërruan," shtoi Centcom.


Forcat amerikane dhe organizatat pro-iraniane kanë shkëmbyer zjarr në këtë zonë për të tretën ditë radhazi. 

Të martën, SHBA-ja tha se kishte bombarduar bazat e luftëtarëve pro-iranianë në Sirinë lindore. 

Objektivi ishin nëntë bunkerë të përdorur si depo municioni. Amerikanët fillimisht donin të bombardonin 11 nga 13 strehimoret në këtë kompleks, por ndaluan operacionin kur panë grupe njerëzish aty pranë.

Irani mohon çdo lidhje me grupet e armatosura të synuara në Siri.

Të mërkurën mbrëma ushtria amerikane tha se kishte nisur një sulm të ri hakmarrës gjatë të cilit u shkatërruan tre automjete dhe pajisje të përdorura për lëshimin e raketave.