Investigimi: Adela, spiunia ruse në bazën e NATO-s në Napoli

Një spiune rus ka arritur të infiltrohet mes personelit në bazën e NATO-s në Napoli dhe në Flotën VI të amerikanëve.

Ky është konkluzioni i një investigimi realizuar nga Repubblica me faqen investigative Bellingcat e të përjavshmen gjermane Der Spiegel dhe The Insider.

Protagonistja e asaj që cilësohet si “operacioni më i bujshëm i inteligjencës” i kryer nga Moska në Itali, shkruajnë autorët e hetimit është një tridhjetëvjeçare.

Maria Adela Kuhfeldt Rivera ka lindur në Peru dhe është me baba gjerman. Por flitet se bëhet fjalë për një identitet të rremë ndërsa emri i vërtetë i gruas që prej 10 vitesh ndodhet në qarqet shoqërore dhe ka arritur të depërtojë deri në samitin e Aleancës Atlantike, do të ishte  Olga Kolobova e bija e një zyrtari rus.

"Gjurma kryesore që të lidh me shërbimet sekrete të Moskës - shpjegon Repubblica - është pasaporta ruse e përdorur për të hyrë në Itali: ajo i përket të njëjtës seri speciale të përdorur nga agjentët 007, inteligjenca ushtarake nën urdhrat e Kremlinit" .

"Hetimi ynë - thotë gazeta - dështoi të rindërtojë se çfarë informacioni u mor nga spiunia, ose nëse ishte në gjendje të shpërndante viruse kompjuterike në telefonat dhe kompjuterët e miqve. Megjithatë, ajo arriti të kishte kontakte me figurat kryesore në NATO dhe të Marinës Amerikane: asnjë agjent rus nuk kishte arritur të depërtonte kaq thellë në samitin e "Aleancës Atlantike”.