Për pëlqimin seksual në Spanjë, "vetëm po do të thotë po" me ligjin e ri

Parlamenti i Spanjës ka miratuar një projektligj, që e bën pëlqimin një përcaktues kyç në rastet e sulmeve seksuale, duke i liruar kështu të mbijetuarit nga detyrimi për të provuar se është përdorur dhunë apo frikësim ndaj tyre.

Parlamenti spanjoll ka votuar në favor të ligjit të ashtuquajtur “vetëm po do të thotë po”, sipas të cilit kërkohet pëlqimi i qartë për aktin seksual.

Ligji kaloi me 205 vota pro, 141 kundër dhe 3 abstenime.

Kundër votuan deputetët e Partisë Popullore konservatore dhe të ekstremit të djathtë Vox.

"Kjo është një ditë fitoreje pas shumë vitesh beteje. Tani e tutje asnjë grua nuk do të jetë e detyruar  të provojë se është përdorur dhunë apo frikësim ndaj tyre për të treguar atë që ka ndodhur"tha ministrja e Barazisë e vendit, Irene Montero.

Ligji i ri parashikon që pëlqimi për një akt seksual duhet të jetë i shprehur dhe jo të merret “sipas mendimit”.

Pasiviteti apo heshtja nuk mund të merren më si pëlqim.

Gjithashtu, dallimi midis "abuzimit seksual" dhe "përdhunimit" është anuluar.

Legjislacioni i ka rrënjët në zemërimin e shkaktuar nga një rast përdhunimi në grup, gjatë festivalit të vrapimit të demave në San Fermin në Pamplona, në vitin 2016.

Fillimisht, pesë të akuzuarit në këtë rast u shpallën fajtorë për abuzim seksual, por jo përdhunim, pasi viktima nuk mendohej se kishte kundërshtuar atë që po ndodhte.

Dënimet shkaktuan protesta të gjera dhe thirrje që Spanja t’u bashkohet dhjetëra vendeve të tjera në Evropë, të cilat e përkufizojnë përdhunimin si “seks pa pëlqim”, sipas një analize të vitit 2020 nga Amnesty International.