Fëmijët kërkojnë t’u kthehet parku te ish-Fusha e Aviacionit: Nuk jemi më të sigurt kur të kalojnë makinat
Pavarësisht ankesave të njëpasnjëshme të qytetarëve punimet në parkun e ish-Fushës së Aviacionit kanë vijuar.
Nëse deri të mërkurën ishte i mbushur me fëmijë, tashmë ata ja kanë lënë vendin fadrromave që punojnë rrugën.
Por edhe reshjet e shiut kanë bërë që zona të pushtohet nga pellgje dhe balta.
Fëmijët e perceptojnë në këtë mënyrë.
"Shumë e vështirë. Fëmijët mund ti përplasin makinat me shpejtësi."
Më të revoltuarit janë prindërit.
"Kjo situatë për ne është katastrofike, e pazakontë. Nuk ka asgjë normale. Një shëtitore kaq e bukur, të bëhet rrugë është shumë e çuditshme. Është çnjerëzore."
"Kryebashkiaku e ka shkatërruar Tiranën, e ka sakatuar."
Shqetësim ngrenë edhe të moshuarit.
"Nuk e di çfarë bën ai lali Eri. Se marr vesh. Gjithë kjo pedonale që e kishte zili gjithë Tirana, shih çfarë bëjnë. Do të shtypin fëmijë dhe pleq këtu."
Kjo rrugë do të lidhë ish-Fushën e Aviacionit me zonën e Laprakës, por sipas banorëve mund të ishte evituar copëtimi i parkut.
