Trafik edhe të dielën, nafta dëm/ Bllokohen në rrugë automjetet në disa zona të Tiranës

Trafiku nëpër Tiranë ka bllokuar edhe këtë të dielë qarkullimin në disa zona të kryeqytetit. Drejtuesit e automjeteve shprehen të revoltuar, teksa thonë se përtej çmimit të lartë të naftës u shtohet kostoja teksa presin zhbllokimin e rrugës. 

Edhe pse ditë fundjave, ku kryesisht fluksi i automjeteve është më i ulët, kjo e dielë i ka gjetur qytetarët duke pritur  në rrugë të lirohen nga trafiku.

Në mesditë më i rënduar ishte kryqëzimi i spitaleve në QSUT. 

E njëjta situatë vazhdoi edhe në kryqëzimin e "5 Majit" dhe atij te "Siri Kodra".

Pranë zonës së "Zogut të Zi" makinat janë bllokuar tërësisht në trafik, tashmë që edhe çmimi i naftës kushton 221 lekë drejtuesit e automjeteve ngrenë shqetësimin për këtë situatë. 

"Jemi mësuar vetëm duke vuajtur, kështu kënaqemi. Nuk është fare normale."

Sipas tyre përballja me trafikun nëpër Tiranë është një tjetër kosto shtesë.

"Ky është shteti ynë, nuk ulin atë TVSH të zbresë pak nafta si në shtetet e tjera. Kemi naftën më të shtrenjtë në rajon, plus trafiku plus, kështu shkojnë gjërat".

Mbetet për tu parë nësë e njëjta problematikë do të vijojë edhe në 15 ditëshin e dytë të gushtit teksa vendimi i fundit i Bordit të Transparencës rriti me 5 lekë litrin e naftës dhe me 2 lekë benzinën.