Kërcënim për katastrofë bërthamore/ Centrali i Zaporizhias mollë sherri mes Moskës dhe Kievit

Centrali bërthamor më i madh në Evropë është kthyer sërish në qendër të vëmendjes për shkak të katastrofës që mund të sjellë në të gjithë kontinentin. Moska dhe Kievi akuzojnë njëra-tjetrën se po kërkojnë shpërthimin e centralit që mund të jetë më katastrofik se Çernobili.

Moska ka paraljmëruar se bota është në prag të katastrofës bërthamore, duke akuzuar Kievin se po nxit shpërthimin e centralit më të madh të kontinentit evropian në Zaporizhia.

Duke pretenduar se forcat ukrainase granatojnë centralin e Zaporizhias ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Vasilij Nebenzja tha se nëse sulmet vazhdojnë katastrofa mund t’ia kalojë dëmeve që solli Çernobili.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ndërsa presidenti Zelenski ka një variant tjetër për precedentin.

Sipas liderit ukrainas, trupat e Moskës janë duke shantazhuar të gjithë botën përmes centralit të Zaporizhjas.

"Rusia është kthyer në një shantazh të hapur bërthamor. Ajo që po ndodh tani rreth Zaporizhzhias është një nga krimet më të mëdha të shtetit terrorist.

Sot, sulme të reja ruse u regjistruan në afërsi të objekteve të centralit. Askush tjetër nuk ka përdorur kaq qartë një central bërthamor për të kërcënuar të gjithë botën," tha ai.

Kreu i shtetit u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të frenojnë Rusinë duke pretenduar se trupat ruse mund të bëjnë ndonjë marrëzi me pasoja të rënda për kontinentin evropian.

"Çdokush në botë duhet të reagojë menjëherë për të dëbuar okupatorët nga territori  i centralit bërthamor i Zaporizhias. Ky është një interes global, jo vetëm një nevojë e Ukrainës.

Ne e theksojmë këtë në të gjitha nivelet, nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri te kontaktaktet ndërmjet shteteve.

Vetëm tërheqja totale e rusëve nga territori i Zaporizhias dhe ridhënia e plotë të kontrollit të situatës te ne do të garantojë rivendosjen e sigurisë bërthamore për të gjithë Evropën," tha ai.

Centrali i Zaporizhias i cili gjendet në qytetin Energodar aktualisht ndodhet në kontrollin e forcave ruse.